Ifis Broker dhe Kompania e sigurimeve Sigal Uniqa Group, në bashkëpunim me Fed Invest Ndërmori nismën dhe realizojë sigurimin e Serave

Dëmtimi i prodhimeve bujqësore, si pasojë e fatkeqësive natyrore ka ndërgjegjësuar fermerët që të sigurojnë prodhimet në sera. Në Krutje të Lushnjës ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shpërndau certifikatat e para të sigurimit për fermerët e zonës.

Kryetarja e Bordit Drejtues të “FED invest” znj. Zana Konini, Drejtori i Përgjithshëm i “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, z. Avni Ponari dhe Presidenti i “IFIS Broker”, z. Petraq Milo firmosën sot marrëveshjen për fillimin e projektit pilot “sigurimi i serave si konstruksion”. Kjo marrëveshje ka për qëllim, mbështetjen e prodhimit bujqësor nëpërmjet futjes dhe zhvillimit të produkteve të sigurimit në sektorin e bujqësisë. Marrëveshja, në kuadrin e një projekti pilot u realizua me ndërmjetësimin e IFIS Broker sh.a., me financimin e Shoqërisë Kursim Kredi “FED invest” dhe në bashkëpunim me SIGAL UNIQA Group AUSTRIA sh.a., e cila mori përsipër sigurimin e serave të 757 fermerëve nga i gjithë vendi.

Qëllimi i projektit është ndërgjegjësimi i fermerëve për futjen dhe zhvillimin e sigurimeve në bujqësi e blegtori i konsideruar si instrument mbrojtës kundër dëmeve që shkaktojnë rreziqet natyrore, në investimet e tyre dhe asetet e krijuara për prodhimin bujqësor.  Rastet e katastrofave natyrore të ndodhura dhe disa herë në vit, janë shoqëruar me pasoja të rënda ekonomike për fermerët dhe blegtorët. Ky projekt pilot, dhe zgjerimi i tij, me një numër më të konsiderueshëm të fermerëve dhe blegtorëve, mbetet një nevojë e domosdoshme për të siguruar investimet e bëra me aq mund nga ana e tyre.

Faza e parë e këtij projekti pilot është fokusuar në sigurimin e serave të prodhimit bujqësor, të ndërtuara me financim të FED Invest sh.p.k. dhe të fermerëve anëtarë të saj. Serat janë të siguruara tek SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, nga dëmet që mund të shkaktojnë rreziqet si breshëri, stuhia, shtrëngatat dhe përmbytjet. Është për t’u theksuar fakti se, në këtë fazë të projektit pilot, në mbështetje të drejtëpërdrejtë të fermerëve në një formë të prekshme është që, detyrimi për pagesën e primit të sigurimit është marrë përsipër dhe është paguar nga FED Invest sh.p.k.

Të trija palët (FED Invest, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, dhe IFIS Broker) falënderojnë Ministrinë e Bujqësisë, dhe në veçanti z. Panariti, për kujdesin e veçantë të treguar, për ta mbeshtetur inicativën për realizimin e këtij projekti pilot si dhe mbështetjen e ardhshme.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e ka quajtur, një moment historik përfshirjen e kompanive të sigurimeve në mbështetje të sektorit bujqësor, duke theksuar se ky sektor ka dëshmuar tashmë se është motori i ekonomisë shqiptare. Kreu i bujqesisë u shpreh se sigurimi i prodhimeve bujqësore është e vetmja zgjidhje për të përballuar fatkeqësitë natyrore. “Kjo do të jetë, zgjidhja më e qëndrueshme e gjithpërfshirëse për bujqësinë shqiptare, nëpërmjet zgjerimit të skemës së sigurimit, për të rritur numrin e fermerëve, blegtorëve dhe produkteteve të tjera bujqësore të siguruara.  Gjithashtu, është për t’u vlerësuar, vëmendja e Ministrisë se Bujqesisë për domosdoshmërinë e mbështetjes dhe nxitjes së mëtejshme të zgjerimit të projektit, me qëllim që, gradualisht të kalohet jo vetëm në sigurimin e serave, por të shtrihet në sigurimin e pajisjeve të fermerëve dhe blegtorëve, në sigurimin e bagëtive dhe shpendëve si dhe në sigurimin e prodhimit bujqësor. Ministria ka përgatitur një ligj ku parashikohet se, të gjithë ata që do të investojnë në bujqësi një shumë të konsiderueshme, duhet të sigurojnë aktivitetin e tyre. Shqipëria ka marrë mbështetje për sigurimin e bujqësisë nga BERZH e cila ofron 60 milion euro për kreditimin, ndërsa 15 milion janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Leave a comment